Pages

Tuesday, November 29, 2016

Çfarë janë gjeoshkencëtarët?



Gjeoshkencëtarët, ndjekin shtigje për kërkimin dhe zbulimin e zgjidhjeve për disa nga problemet më sfiduese të shoqërisë. Të parashikojnë sjelljen e sistemeve të Tokës dhe universit. Të gjejnë furnizime të mjaftueshme të burimeve natyrore të tilla si uji, nafta dhe metalet. Të ruajnë tokën dhe të mbajnë prodhueshmërinë agrikulturore.

Të zhvillojnë burimet natyrore në mënyrën që të mbrojnë mjedisin. Të ruajnë cilësinë e furnizimeve ujore. Të zvogëlojnë vuajtjet njerëzore dhe humbjen e pronave nga rreziqet natyrore, të tilla si shpërthimet vullkanike, tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, stuhitë dhe cunamet.

Të përcaktojnë mënyrat e kontrollit mbi mjediset natyrore dhe vendbanimet dhe të parashikojnë ndikimin e veprimtarisë njerëzore mbi to. Të përcaktojnë ekuilibrin ndërmjet kërkesave të shoqërisë për burimet natyrore dhe nevojave për të mbajtur ekosisteme të shëndetshme. Të mirëkuptojnë strukturën klimaterike të përgjithshme.

Çfarë është një Gjeoshkencëtar? Gjeoshkencëtarët janë punonjës shërbimi ose kujdestarë të burimeve natyrore botërore dhe mjedisit.
Ata punojnë për të kuptuar proceset natyrore mbi Tokën dhe planetet e tjera. Duke hetuar Tokën, dherat e saj, oqeanet dhe atmosferën; parashikojnë  motin; zhvillojnë plane të përdorimit të terrenit; të shfrytëzimit të planeteve të tjerë dhe sistemit diellor; përcaktojnë ndikimet mjedisore; dhe gjejnë burime të reja të materialeve të dobishme Tokësore e që janë vetëm pak nga mënyrat se si gjeoshkencëtarët kontribuojnë për të kuptuar proceset dhe historinë e Tokës.

Gjeoshkencëtarët japin informacion për të zgjidhur problemet  dhe për të përforcuar shërbimet shtetërore për menaxhimin e burimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe shendetin publik, sigurinë dhe mirëqënien.
Gjeoshkencëtarët janë kuriozë mbi Tokën dhe sistemin diellor. A ka jetë në planetet e tjera? Në ç’mënyrë kanë ndryshuar ata? Çfarë efektesh do të  ketë ndikimi i akullnajave mbi oqeanet dhe klimën? Çfarë e bën një kontinent të lëvizë, një mal që të formohet dhe një vullkan të shpërthejë? Çfarë i bëri dinosaurët të zhduken?c

Gjeoshkencëtarët përqëndrohen mbi Tokën. Çfarë e bën klimën e botës të ndryshojë? Si punon sistemi i Tokës? Si dhe ku duhet të sistemohen mbetjet industriale? Si mundet që të kënaqen kërkesat në rritje të shoqërisë për ujëra dhe energji ndërsa duhet të konservojmë burimet natyrore për gjeneratat e ardhshme? Ne se popullsia e botës rritet a mundemi ne të rritim mjaft ushqimin dhe fijet sintetike për ta mbajtur atë?

Toka është një laborator natyror i mbushur me mundësi për të vrojtuar proceset në veprim e sipër. Duke përdorur njohuritë e tyre mbi forcat dhe faktorët që i kanë dhënë formën Tokës, gjeoshkencëtarët përpiqen të rindërtojnë të kaluarën dhe të paraprijnë të ardhmen.

Çfarë bëjnë gjeoshkencëtarët?

Gjeoshkencëtarët mbledhin dhe interpretojnë të dhënat për Botën dhe planetet e tjerë. Ata përdorin  dijet e tyre për të ritur kuptimin  tonë për proceset në Tokë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës njerëzore. Puna dhe hapat e karierës së tyre, ndryshojnë gjerësisht sepse gjeoshkencat janë gjithashtu të gjëra dhe gjithfarësh. Fondacioni Kombëtar Shkencor, e konsideron gjeologjinë, gjeofizikën, hidrologjinë, oqeanografinë, shkencën e marinës, shkencën atmosferike, shkencën planetare, meteorologjinë, shkencën mjedisore, dhe shkencën e dherave si disiplina madhore të gjeoshkencave.

Lista e mëposhtëme, jep një pamje të shpejtë të asaj se çfarë bëjnë gjeoshkencëtarët me këto disiplina dhe një numër nëndisiplinash: Shkencëtarët e atmosferës, studiojnë proçeset e motit; dinamikën botërore të klimës; rezatimin diellor dhe efektet e tij; rolin e kimisë së atmosferës në shterrimin e ozonit, ndryshimin e klimës dhe ndotjen.

Gjeologët ekonomikë, kërkojnë dhe zhvillojnë burimet metalore dhe jometalore dhe dherave; ata studjojnë depozitimet minerale dhe gjejnë mënyra të sigurta mjedisore për të sistemuar mbetjet materiale nga veprimtaria e minierave.

Gjeologët inxhinierikë, përdorin të dhënat gjeologjike, teknikat dhe studimet fillestare të shkëmbinjve, dherave sipërfaqorë dhe ujërave të tokës; ata hetojnë faktorët gjeologjikë që ndikojnë mbi struktura të tilla si urat, ndërtesat, aeroportet dhe molot.

Gjeologët e mjedisit, studiojnë ndërveprimin ndërmjet gjeosferës, hidrosferës, atmosferës dhe aktivitetit njerëzor. Ata punojnë për të zgjidhur problemet që shoqërohen me ndotjen, menaxhimin e mbeturinave, urbanizimin dhe rreziqet natyrore të tilla si përmbytjet dhe errozioni.

Gjeokimistët, përdorin kiminë fizike dhe inorganike, për të hetuar natyrën dhe shpërndarjen e elementëve madhorë dhe gjurmëve të tyre në ujërat tokësorë dhe materialet e Tokës; ata përdorin kiminë organike për të studiuar përbërjen e grumbullimeve të lëndëve fosile (të qymyrit, të naftës dhe të gazit).

Gjeokronologët, përdorin masën e zbërthimit të disa elementëve radioaktivë në shkëmbinj për të përcaktuar moshën e tyre dhe intervalin kohor të ngjarjeve në historinë e Tokës.

Gjeologët, studiojnë materialet, proceset, produktet, natyrën fizike dhe historinë e Tokës. Gjeomorfologët, studiojnë kufijtë Tokësorë dhe pamjet në marëdhënie me proceset gjeologjike dhe klimatike dhe aktivitetin human që formon ato. Gjeofizikët, përdorin parimet fizike për të studiuar brendinë e Tokës dhe të hetojnë manjetizmin, elektricitetin dhe fushën gravimetrike të saj.

Gjeologët e akullnajave, studiojnë vetitë fizike dhe lëvizjen e akullnajave dhe trashësive ishullore.

Hidrogjeologët, studiojnë ndodhjen, lëvizjen, pasurinë, shpërndarjen dhe cilësinë e ujërave nëntokësorë dhe aspektet gjeologjike lidhur me to, të ujërave sipërfaqorë. Hidrologët, merren me ujërat që nga momenti i formimit të tyre deri sa ato avullojnë në atmosferë ose sa shkarkohen në oqean; për shëmbull, ata studiojnë sistemet lumore për të parashikuar ndikimin në përmbytjet
Gjeologët detarë, hetojnë fundin e oqeaneve dhe kufijtë oqean-kontinent; ata studiojnë basenet oqeanikë, shelfet kontinentalë dhe mjediset bregore mbi kufijtë e kontinenteve.

Meteorologët, studiojnë atmosferën dhe fenomenet atmosferike, duke përfshirë motin.

Mineralogët, studiojnë formimin e mineraleve, përbërjen dhe vetitë e tyre.

Oqeanografët, hetojnë dinamikën fizike, kimike, biologjike dhe gjeologjike të oqeaneve.

Paleoekologjistët, studiojnë funksionin dhe shpërndarjen e organizmave të hershme dhe marrëdhëniet e tyre me mjedisin e jetës.

Paleontologët, studiojnë fosilet për të kuptuar format e jetës së kaluar dhe ndryshimin e saj gjatë kohës për të rindërtuar mjediset e kaluara.

Gjeologët e naftës, përfshihen në kërkimin për prodhim të burimeve të naftës dhe gazit natyror.

Petrologët, përcaktojnë origjinën dhe historinë natyrore të shkëmbinjve duke analizuar përbërjen minerale dhe marrëdhëniet e kokrrizave.

Gjeologët planetarë, studiojnë planetet dhe hënat e tyre me qëllim që të kuptojnë historinë e zhvillimit të sistemit diellor.

Sedimentologët, studiojnë natyrën, origjinën, shpërndarjen dhe ndryshimin e sedimenteve të tilla si rëra, alevriti dhe llumi. Nafta, gazi, qymyri dhe shumë grumbullime minerale, ndodhen në të tilla sedimente.

Sizmologët, studiojnë tërmetet dhe analizojnë cilësitë e valëve të tërmeteve për të interpretuar strukturën e Tokës.

Shkencëtarët e dherave, studiojnë dherat dhe cilësitë e tyre për të mbështetur prodhimin agrokulturor, për të evidentuar dhe përmirësuar dherat e ndotur.

Stratigrafët, hetojnë marrëdhëniet kohë dhe hapësirë të shkëmbinjve, në një shkallë lokale, rajonale dhe botërore përmes kohës gjeologjike dhe veçanërisht fosileve dhe përmbajtjes minerale të shtresave shkëmbore.

Gjeologët strukturorë, analizojnë forcat që veprojnë mbi Tokën duke studiuar fenomenet për të kuptuar  rreziqet natyrore dhe për të parashikuar shpërthimet.

Ku punojnë Gjeoshkencëtarët?
Gjeoshkencëtarët mund të gjejnë mostra nga fundi i oqeanit ose shqyrtojnë mostra shkëmbinjsh nga Hëna ose Marsi. Por puna e shumicës së gjeoshkencëtarëve, më e shumta, është “poshtë në Tokë”. Ata, punojnë si për të kërkuar për minerale të rinj dhe burime hidrokarburësh, ashtu edhe si konsulentë të problemeve mjedisore, kërkues, mësues, shkrimtarë, botues dhe kuratorë muzeumesh si edhe në shumë pozicione të tjera të ndryshme. Ata, shpesh e ndajnë kohën e tyre duke punuar në fushë, në laborator dhe në zyrë.
Puna fushore, zakonisht bëhet duke vrojtuar, kërkuar në nëntokë me shpime ose duke përdorur mjetet e gjeofizikës, duke grumbulluar mostra dhe duke bërë matje që më tej, do të analizohen në laborator. Për shëmbull, mostrat e shkëmbit mund të rezatohen me rreze X, të studjohen nën një mikroskop elektronik dhe të analizohen për të përcaktuar cilësitë fizike dhe kimike. Gjeoshkencëtarët, mundet gjithashtu të bëjnë eksperimente ose të projektojnë modele kompjuterike për të provuar teoritë mbi fenomenet dhe proceset gjeologjike.

Në zyrë, ata bashkërendojnë të dhënat fushore dhe laboratorike dhe përgatisin raporte dhe prezantime që përfshijnë harta e diagrama e që ilustrojnë rezultatet e studimeve të tyre. Të tilla harta, mund të piketojnë ndodhjen e mundshme të mineraleve, të qymyrit, të naftës, të gazit natyror, burimeve ujore ose të tregojnë kushtet nëntokësore ose rreziqet që mund të prekin vëndet e ndërtimt ose përdorimin e vëndit.

Puna dhe paga.
Punësimi në gjeoshkenca, si në çdo profesion, varion me klimën ekonomike të vendit. Në kuadrin afatgjatë është me  përfitim në këtë kohë. Energjia për banesat, burimet minerale dhe të ujit dhe shtimi i problemeve të mjedisit dhe reziqeve natyrore, janë sfida të reja për gjeoshkencëtarët.

Në përputhje me të dhënat e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, rreth 125 mijë gjeoshkencëtarë punojnë në Shtetet e Bashkuara. Shumë gjeoshkencëtarë janë punësuar nga industritë që lidhen me naftën dhe gazin, minierat dhe mineralet por edhe burimet ujore. Shumë gjeoshkencëtarë, janë vetëpunësuar si konsulentë gjeologjikë ose punojnë me firmat konsultuese. Shumë gjeologë konsultues kanë një eksperiencë të gjërë në industri, mësimdhënie ose kërkim shkencor.

Gjithashtu, shumë gjeoshkencëtarë punojnë për shtetin federal ose në agjensi shtetërore. Shërbimi Gjeologjik i SHBA (Departamenti i brendshëm), Departamenti i Energjisë, Departamenti i Agrikulturës, Shërbimi Pyjor, Administrata Aeronautike dhe Hapsinore, Administrata Oqeanike dhe Atmosferike, Inxhinierët e Trupave Ushtarake të SHBA, shërbimet gjeologjike shtetërore dhe departamentet e mjedisit dhe burimeve, të gjithë punësojnë gjeoshkencëtarë.

Niveli i pagave, varion nga punonjësi në punonjës në varësi të hapave të karierës, vëndit, kualifikimit të gjeoshkencëtarit dhe natyrisht të ekonomisë. Në përputhje me të dhënat e Zyrës së Statistikave të Punës (BLS), punësimet në gjeoshkenca, pritet të rriten me 22 përqind midis viteve 2006-2016. Kjo, është një rritje më e shpejtë në punësim se mesatarja për të gjitha punësimet. Gjeoshkencëtarët me gradën e Masterit, pritet që të kenë shanset e punësimit  më të larta nga të gjithë  gjeoshkencëtarët me grada.

Vlerësimet e pagave të bëra nga BLS për vitin 2007, tregojnë që mesatarja vjetore e pagës për gjeoshkencëtarët ishte 84,100 $. Gjeoshkencëtarët në industrinë e naftës dhe minierave përfitojnë pagat më të larta (93,820 $ -137,510 $) dhe ata në administratën shtetërore marrin më pak (55,390$). Gjeoshkencëtarët e fakulteteve, përfitojnë një pagë mesatare vjetore prej 69,150 $ në vitin 2007. Përveç kësaj, në përputhje me  Shoqatën Kombëtare të Kolegjeve dhe Punonjësve, paga mesatare e fillimit për graduatët e kolegjeve me gradën e baçelorit, kanë qënë 40,786 $ në vitin 2007.

I  interesuar?
Një interes i fortë në shkenca dhe një edukim i mirë, janë elementët më të rëndësishëm për t’u bërë një shkencëtar. Gjeoshkencat, mbështeten mbi biologjinë, kiminë, matematikën, fizikën dhe inxhinierinë. Kurset e shkollave të larta, lidhen me këto subjekte plus një kurs në gjeologji ose shkenca-toke, ose një kurikulum në shkencat e integruara, do t’u  ndihmojnë ju për t’u përgatitur për kolegjin. Gjithashtu, merrni njohuri të thelluara në Anglisht nga që gjeoshkencëtarët e kanë të nevojshme të jenë të aftë të shkruajnë dhe të flasin qartësisht.

Për zgjedhjen e një kolegji apo universiteti, shih listën e kurseve për departamentet e gjeologjisë, gjeoshkencave, shkencën e sistemeve të tokës ose shkencat mjedisore për të identifikuar programet që i përshtaten interesit tuaj. Si në çdo profesion,  aplikantët me kualifikimin më të lartë, marrin edhe punët më të mira. Shumë pozicione profesionale në gjeoshkenca, kërkojnë një gradë masteri. Një Ph.D nevoitet për avancimin e mësimeve në kolegje dhe për pozicionet e niveleve më të larta të kërkimeve.

Përktheu GJ.F.

No comments:

Post a Comment

 
Blogger Templates