Friday, October 21, 2016
Hipoteza e Shmitit rreth krijimit të planetëve
Në kohën e fundit gjithnjë e më shpesh janë të pranishmë hipotezat, të cilat flasin se Toka dhe planetët tjerë janë krijuar nga dendësimi i grimcave të ftohta të pluhurit kozmik. Një hipotezë të këtillë më të njohur e ka paraqitur, në vitin 1946, shkencëtari dhe akademiku sovjetik, Oto Juleviq Shmit (1891-1956). Sipas hipotezës së tij, Dielli duke lëvizur rreth boshtit të Galaktikës, para rreth 6 miliardë vitësh, ka kaluar nëpër mjegullinën e pluhurit kozmik dhe ka tërhequr me vete një pjesë të kësaj mjegulline. Pastaj, kjo pjesë e mjegullinës është rrotulluar rreth Diellit. Në të janë ndeshur vazhdimisht thërmijat e pluhurit kozmik, duke u dendësuar në masë më të madhe edhe në fund janë formuar planetët. Edhe vetë planetët i kanë tërhequr pjesët e vogla të mbeturinave të mjegullinë së pluhurit kozmik dhe prej atyre pjesëve janë krijuar satelitët e tyre. Dielli me afërsinë e vet, ka tërhequr tërë pluhurin që ka qenë në afërsi të Merkurit dhe të Afërditës, prandaj Merkuri dhe Afërdita nuk kanë satelitë të tyre. Planetët e mëdhenj, që gjenden më largë nga Dielli, kanë tërhequr sasi më të mëdha të pluhurit kozmik, prandaj kanë një numër më të madh të satelitëve.
Në dallim nga hipoteza e Kant - Laplasit ose hipoteza e Xhinsit, sipas hipotezës së Shmitit, Toka, planetët e tjerë dhe satelitët janë krijuar si trupa të ftohtë. Pjesa e brendshme e ftohtë dhe e rrallë ngjeshet, ndërsa nga fërkimi dhe presioni fillon ngadalë të nxehet. Kur temperature arrin në një shkallë të lartë, fillojnë reaksionet termobërthamore të shndërrimit të hidrogjenit në helium. Në këtë mënyrë në brendësi të planetëve, pra edhe të Tokës, është sajuar nxehtësia. Me rritjen e temperaturës masa e Tokës gradualisht shndërrohet në masë plastike. Për këtë shkak ka ardhur deri te depërtimi gradual i materjeve më të lehta kah sipërfaqja, ndërsa ato më të rënda, kanë zbritur në qendrat e tyre. Ky proces ende vazhdon. Prandaj, disa pjesë të sipërfaqes së Tokës gradualisht vijnë duke u lartësuar, ndërsa të tjerat më të rënda, ulen dhe fundosen. Kohë pas kohe këto procese janë të përcjella me tërmete dhe erupcione vullkanike.
Duhet të përmendim edhe hipotezat e Çembërlenit, të Miltonit, të Vajsekerit, të Arenijusit, të Kuperit, të Xhefrejsit, të Kameronit dhe atë të Hojlit.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment