Në këtë periudhë filloj zhvillimi i shpejtuar i saj dhe pavarësimi i plotë. Tani gjeografia nga shkenca eksluzive deskriptive trasoi rrugën e sintezës së domosdoshme krahasuese dhe sqaruese që mund të konsiderohet përparim shumë i madh në zhvillimin e saj.
Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe i ekonomisë në përgjithësi ka pasur nevojë për lëndë të para dhe tregje të reja. Prandaj, ndihet nevojë për hulumtime gjeografike në detaje të të gjitha pjesëve të pahulumtuara të botës. Në këtë periudhë paraqitet një numër i konsiderueshëm i gjeografëve. Në mesin e tyre duhet të veçojmë Aleksandër Humbolltin dhe Karl Riterin. Këta gjeograf kanë paraqitur mendimin se gjeografia nuk duhet vetëm ta përshkruaj hapësirën dhe dukuritë në të, por duhet ti sqarojë shkaqet e krijimit të dukurive natyrore, ndikimin e tyre reciprok si dhe rrjedhimet e këtyre ndikimeve.
Aleksandër Humbollti
Aleksandër Humbollti (1769-1859) ka udhëtuar shumë nëpër Evropë, Azi, Amerikë Veriore, Jugore dhe të Mesme. Në këto vende, ai mblodhi mjaft shënime në bazë të të cilave më vonë themeloi pikëpamjet e veta shkencore në gjeografi. Është i njohur si natyralist i madh, hulumtues dhe vëzhgues i përsosur gjerman. Themeloi gjeografinë kauzale moderne. Aleksandër Humbolltin e konsiderojnë si shkencëtar, i cili ka vënë bazat bazat e gjeografisë fizike, veçanërisht të klimatologjisë, të oqeanografisë dhe të biogjeografisë. Ka qenë edhe astronom, gjeolog, zoolog, botanist dhe mineralog. Kujdes të veçantë i kushtoi studimit të dukurive klimatike. Ai ka qenë i pari që ka përdorur termin “izoterm” dhe përpiloi hartën e parë izotermike të gjysmësferës veriore. Vepra më e vlefshme e tij titullohet “Kosmosi”. Kjo vepër bazohet në parimet materialiste. Vepra e dytë titullohet “Pamja e natyrës”. Ai në këtë vepër shkruante se njohja e karakterit të natyrës së pjesëve të ndryshme të botës është e lidhur ngushtë me historinë e shoqërisë njerëzore dhe me kulturën e saj. Në këtë mënyrë ai në analizën e ndikimit reciprok dhe marrëdhëniet e natyrës dhe të njeriut përfaqëson pikëpamjet e varësisë së njeriut nga natyra që e rrethon.
Karl Riter
Karl Riter (1779-1859) ishte ithtar i filozofisë idealiste, përkatësisht përfaqësues i drejtimit idealist në gjeografi. Ai ka qenë historian, teolog dhe idealist i përmendur, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe gjeograf i kabinetit. Prandaj përfundimet e tij nuk dalin nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i dukurive natyrore, por nga analiza e faktëve historikë. Ai konstaton se pozita e ndonjë vendi dhe natyra e tij (relievi, bota bimore e shtazore, dheu dhe përbërja petrografike-gjeologjike) përcaktojnë se si duhet të jenë njerëzit në atë vend, ekonomia e tij dhe si ka qenë roli i tij gjatë historisë. Doktrina të tilla paraqesin bazën e ashtuquajtur të gjeografisë deterministe, ku roli kryesor në zhvillimin e shoqërisë njerëzore e luajnë kushtet natyrore dhe pozita gjeografike e një vendi ose regjioni. Sipas Riterit, detyra e gjeografisë është që të studiojë ekzistencën e lidhjeve reciproke ndërmjet shoqërisë njerëzore dhe mjedisit natyror dhe ndikimit të tyre të ndërsjellë. Me meritën e Riterit, më 1820 është themeluar Katedra e gjeografisë në Universitetin e Berlinit, ndërsa më 1828 bashkë me A. Humbolltin themeluan Shoqatën e gjeografëve gjerman në Berlin.
Vilijams Moris Devis
Vilijams Moris Devis (1850-1934) ka qenë gjeomorfolog dhe gjeolog i njohur amerikan. Punoi si profesor në Universitetin e Harvardit. I vuri themelet e gjeografisë amerikane. Elaboroi ciklin gjeografik të njohur, përkatësisht teorinë e evolucionit morfologjik të relievit të sipërfaqes së Tokës. Secili cikël (fluvial, glacial, eol, etj) sipas tij ka pasur stadet e zhvillimit evolutivë: stadin e rinisë, të pjekurisë, të pleqërisë dhe ato janë të lidhura ngushtë me strukturën gjeologjike.
Vasilij Vasileviq Dokuçajev
Vasilij Vasileviq Dokuçajev (1846-1903) ka qenë natyralist dhe pedagog rus. Themeloi studimin shkencor të gjeografisë mbi dheun (pedogjeografinë) dhe ka qenë shkencëtari i parë, i cili formuloi klasifikimin e dheut në themelet e gjenetikës. Duke i konsideruar ligjshmëritë e përgjithshme dhe ligjshmëritë reciproke të relievit, klimës, bimësisë dhe të dheut, ai zbuloi edhe ligjet e zonalitetit vertikal dhe horizontal në përhapjen e llojeve të caktuara të dheut. Këto ide të tij mbi zonalitetin në natyrë kanë qenë bazë për studimin e dukurive të mëvonshme mbi landshaftin (viset) dhe zonat gjeografike. Me këtë Dokuçajev i kontriboi zhvillimit të gjeografisë fizike e disiplinave të saj.
Fridirih Raceli
Fridirih Raceli (1844-1904). Doktrina antropogjeografike e Racelit sjell deri në fanatizmin gjeografik, përkatësisht superioritetin e natyrës ndaj shoqërisë dhe në gjeopolitikë reaksionare. Racelin e konsiderojnë si themelues të antropogjeografisë, përkatësisht të gjeografisë së njeriut. Antropogjeografinë Raceli e konsideron si pjesë të biogjeografisë. Pikëpamjet e veta i paraqiti në veprën me titull “Antropogjeografia” në dy vëllime.
Robert Edvin Piri
Robert Edvin Piri (1856-1920) ka qenë hulumtues i shquar amerikan i viseve arktike. Më 1908 Piri udhëheqi ekspeditën e re arktike dhe më 6 prill të vitit 1909 i shoqëruar nga katër eskimezë dhe një zezak pushtoi Polin e Veriut. Me atë rast në Polin e Veriut, Piri qëndroi 30 orë. Piri shkroi disa vepra mbi viset polare veriore. Për nder të këtij hulumtuesi, siujdhesa veriore e Grendlandës sot quhet Toka e Pirit.
Roald Amundsen
Roald Amundsen (1872-1928) ka qenë hulumtues i përmendur norvegjez i viseve polare. Lundroi nëpër kalimin detar veriperëndimor (në viset e Amerikës Veriore) dhe verilindor (në viset e Evropës dhe të Azisë) të Atlantikut. Më 14 dhjetor të vitit 1911 pushtoj Polin Jugor. Sipas këtij hulumtuesi një prej deteve të skajshme të Oqeanit të Qetë, rreth arktikut mori emrin Deti Amundsen.
Dueli Amundsen dhe Scott në shkretëtirën e akullt.
Roald Engelbert Amundsen lindi më 16 korrik 1872 në Borge të Norvegjisë. Si lundërtar i entuziazmuar ai mori pjesë në një ekspeditë për Polin Jugor nga viti 1897 deri më vitin 1899 dhe kjo zgjoi interesimin e tij për hulumtime polare. Në kuadër të një udhëtimi hulumtues për në Polin Magnetik Verior, të cilin e kishte ndërmarrë Amundsen me anijen “Gjoa” nga viti 1903 deri më vitin 1906, ai e kapërceu i pari Korridorin Veriperëndimor ndërmjet Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor.
Poli Verior apo Jugor ?
Pasi kishte ngadhënjyer mbi Korridorin Veriperëndimor ambiciet e tij koncentroheshin në arritjen e Polit Verior si njeriu i parë, Mirëpo amerikani Piri (Peary) mbërriti atje para tij. Amundseni i prekur nga kjo humbje, i shtron vetes nje qëllim të ri: Polin Jugor. Britanikun Robert Scott ai e konsideronte kundërshtar të fortë në këtë drejtim. Amundseni la të paqartë cakun e ekspeditës së tij, si për financuesit ashtu edhe për kundërshtarët e tij.
Vetëm pas nisjes ai e bëri të njohur cakun e vërtetë dhe hapi kështu garën më dramatike në historinë e zbuluesve.
Gara për jetë apo vdekje
Garuesit arritën në bregdetin e Antarktikut në janar të vitit 1911, për të filluar aty përgatitjet për ekspeditën e vërtetë. Të dy skuadrat e shfrytëzuan kohën e dimrit për t’u njohur me disa pjesë të rrugëve dhe për të vendosur përgjatë tyre rezerva ushqimore. Më 19 tetor 1911, me fillimin e verës antarktike, Amundsen me pesë burra tjerë, 54 qen dhe me katër saja nis sulmin e tij. Më 14 dhjetor ata arritën në cak. Poli ishte aty - një pikë fiktive në asgjënë e bardhë, 3 000 metra mbi lartësinë mbidetare - i paprekur, pa më të voglën gjurmë të njeriut, që do të kishte arritur para tyre. Ata ia kishin arritur qëllimit: ata ishin të parët!. Pas katër ditësh fillon marshimi për kthim. Ata lënë aty një tendë si shenjë, një këndmatës dhe tre thasë për këmbë nga lëkura e kafshëve.
Arritja e Amundsenit në Polin Jugor
Të rraskapitur për vdekje anglezët arrijnë më në fund më 18 janar 1912 në Pol. I thyer në shpirt Scott shënon në ditarin e tij: “Norvegjezët kan arritur para nesh - Amundsen ishte i pari në Pol! Një zhgënjim i tmerrshëm!”. Kthimi shndërrohet në katastrofë. Njëri pas tjetrit mbesin të shtrirë në shpellën e bardhë të gjithë anëtarët e ekuipazhit të Scottit. Detari Scott përshkruan fundin nga ora në orë. Shënimi i fundit më 29 mars 1912 thotë: “Vdekja nuk mund të jetë shumë larg. Për hir të Zotit, përkujdesuni për familjarët tanë!”
Në vitet e mëpasme Amundsen ndërmori megjithatë disa përpjekje për të arritur edhe në Polin Verior. Më 12 maj 1926 Amundsen së bashku me italianin Nobile dhe amerikanin Ellsworth ia arritën për herë të parë të fluturojnë me një capelin mbi Polin Verior. Në qërshor të vitit 1928 pas një aksion të kërkim-shpëtimit për një ekspeditë tjetër të Nobiles, Amundsen u zhduk pa gjurmë. Zbuluesi dhe aventurieri i njohur nuk u kthye më nga fluturimi i tij për në Spitsburg.
No comments:
Post a Comment