Pages

Monday, October 24, 2016

A ka më shumë se tre dimensione?



Numri i dimensioneve të hapësirës është numri i numrave që duhen për të lokalizuar çdo pikë në të. Përshembull, për një milingonë që po ecën në dysheme ne kemi nevojë vetëm për dy numra për ta lokalizuar në një kohë të caktuar, ashtu siç kemi nevojë ne për dy numra për të përcaktuar pozicionim tonë në sipërfaqen e Tokës (gjerësi dhe gjatësi). Sipërfaqet, në përgjithësi, kanë dy dimensione, dhe çdo pikë në to mund të përcaktohet nga dy numra. Këtyre dy numrave, të cilët i quajmë koordinata,  ju referohemi si "sistem referimi" që mund të përcaktohen në mënyra të ndryshme. Përshembull, mund të themi se pozicioni i një milingone në një dhomë drejtkëndore është 4 metër nga muri i jugut dhe 3 meter nga muri i perëndimit. Numri i dimensioneve të hapësirës është i njëjtë pavarësisht se si vendosim sistemin e referencës dhe koordinatat e tij. Përderisa milingona mund të eksplorojë vetëm dy dimensione bota e saj duket dy dimensionale. Për një bletë që fluturon sipër milingonës, nga ana tjetër, do të na duhej një numër i tretë për të na treguar lartësinë e saj nga çdo pikë e dyshemesë.
Volumet, gjithashtu edhe hapësira përreth nesh, kanë tre dimensione, dhe mund të identifikojmë çdo pikë në të me tre numra. Por, a ka mundësi që ne jemi thjesht të paaftë të "shohim" më shumë se tre dimensione, ashtu si milingona mund të "shohë" vetëm dy?
Përfytyroni sikur bleta që duam të lokalizojmë po lëviz, tre numra nuk janë të mjaftueshëm për ta përshkruar pozicionin e saj: duhet të përcaktojmë gjithashtu në cilin interval të kohës është në çdo pikë. Për më tepër, kur përshkruajmë një bletë që fluturon në dy sisteme referuese që janë duke lëvizur, përshembull në një stacion treni dhe brenda trenit që po lëviz larg tij, ajo qe quajmë hapësirë është një përzierje e hapësirës dhe kohës kur shikohet nga tjetri (në sistemin tjetër). Ndarja që i bëjmë hapësirës dhe kohës është artificiale që vjen nga mënyra se si e zgjedhim sistemin tonë të referimit. Sipas Einstein-it, Universi ynë është një "hapësirë-kohë" me katër dimensione, gjatësi, gjerësi, lartësi dhe kohë, përkulet e ndryshon formën e saj nga lëvizja e planetëve dhe yjeve. Graviteti është një manifestim i përkuljes së hapësirë-kohës. Një trup masiv, si Toka, e deformon hapësirë-kohën në mënyrë të tillë sa objektet përreth saj bien përreth përkuljes në drejtim në trupit masiv.
Kur Universi ynë ekzaminohet në nivel atomik fizikanët presin që hapësirë-koha të shfaqë një strukturë shumë të ndryshme për shkak se në shkallë shumë të vogël trupat nuk lëvizin sipas teorisë së relativitetit të përgjithshëm, për r ndjekin rregullat e mekanikës kuantike, të cilët janë komplet të ndryshëm. Fakti se objektet në këtë nivel nuk lëvizin si planetët dhe yjet na çon tek pyetja: Si e deformojnë hapësirë-kohën objektet e vogla dhe si e tërheqin njëri-tjetrin graviticionalisht?
Ka patur përpjekje të ndryshme për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Teoria e stringjeve, përshembull, parashikon se mund të jenë 10, 11,  ose 26 dimensione, në varësi të numrit të objekteve që po lëvizin përreth. Një rezultat intrigues që duket i zakonshëm në përpjekjet për të shpjeguar se si sillet hapësirë-koha në botën kuantike është se numri i dimensioneve varet nga shkalla që po përdorim për të parë në të. Në disa situata Universi sillet sikur të ketë dy dimensione, ndërsa në disa të tjera katër ose më shumë. Ka gjithashtu disa hapësira të çuditshme të quajtura "fractals" që janë vëzhguar në natyrë, strukturat e të cilave janë të njëjta pavarësisht shkallës në të cilën po i vëzhgojmë ato. Këto hapësira kanë dimensione me numra jo të plotë. Pra, në këto hapësira mund të kemi nevojë jo për dy apo për tre numra për të lokalizuar një objekt, por për 1.58 numra.

A mund të jetë Universi ynë si hapësirat "fractal"? A ka vërtetë më shumë se katër dimensione? Deri më tani kemi qenë të aftë të lokalizojmë çdo pikë në Univers me vetëm katër numra, por ndërkohë që bëjmë eksperimente në shkallë shumë të vogël dhe në energji më të mëdha kush e di se çfarë mund të gjejmë?


(copyright nga Skepticizmi)
Shkruajti: Doktor Hector Hernandez-Coronado, hulumtues shkencor tek "Instituto Mexicano del Petroleo".

Marrë nga libri "The Where, the Why and the How", Matt Lamothe, faqe 25-25.

No comments:

Post a Comment

 
Blogger Templates